Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Parlamenti miratoi përbërjen e komitetit për kthimin e kompensimin e pronave ish-pronarëve. Me shumicë votash nga PS është zgjedhur Pranvera Belushi, Banush Xhabrahimi nga PSD, Njazi Kosovrasti nga PD dhe Agim Toro i shoqatës Pronësi me Drejtësi, mbështetur nga grupet e opozitës.

Kandidatura e LZHK Flora Çabeji nuk mundi të sigurojë kuorumin e nevojshëm të votave. Ndërsa demokratët e reformuar tërhoqën kandidaturën e tyre, duke akuzuar dy forcat kryesore politike për pazare në këtë proces. Deklaratë që u mbështet dhe nga LSI.

Spartak Braho: “Ligji thotë, duhet të jeni juristë, ekonomistë, agronomë dhe inxhinier në fushën e tokës. Disa prej këtyre kandidaturave dhe unë mbështesë shqetësimin e zotit Ndoka, nuk i plotësojnë këto kritere.”

Nard Ndoka: “Këtu vendos shumica që duket një arritje shumë e madhe që mund të ketë një pazar mes dy forcave, një pazar kartonësh, por nuk besoj se kjo është zgjidhja e duhur për zbatimin e ligjit dhe respektimin e procedurave parlamentare.”

“Në këtë mënyrë siç po veprohet, ky komitet vetëm formalisht do të miratohen katër vetë dhe nuk do të fillojë asnjëherë punën.”

Kryetari i komitetit zgjidhet nga presidenti i republikës, dekreti i të cilit pritet të vijë në Kuvend javën e ardhshme. Parlamenti miratoi shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Sipas afatit të shtyrë për të dytën herë nga Kuvendi, komisioni bipartizan duhet të realizojë reformën për zgjedhjet e vitit 2005 deri në datën 22 nëntor./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj