Mazhoranca parlamentare rrëzoi sërish dekretin e Presidentit të Republikës duke mos dhënë pëlqimin për kandidaturën e Lutfi Dervishit si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve. I njohur si një nga drejtuesit e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, kundërshtimi i socialistëve vjen pas qëndrimit që kjo zyrë mbajti në seancën dëgjimore të Kongresit Amerikan mbi progresin demokratik të Shqipërisë. Me shumicë absolute kuvendi miratoi 4 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve, propozuar nga pozita dhe opozita, ndërsa kandidatura e Presidentit mori vetëm 59 votat pro të opozitës.
Lutfi Dervish: “Gjej rastin të falënderoj Presidentin e Republikës për propozimin që bëri për kandidaturën time! Gjej rastin të falënderoj sinqerisht të gjithë deputetët që kanë votuar pro kandidaturës sime dhe votimi ka qenë shumë i ngushtë, vetëm 3 deputetë, 3 vota ka qenë diferenca. Shpreh keqardhjen që vendimi për rrëzimin e kandidaturës sime nuk është marrë në parlament, por është marrë në instancë të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, me insistimin, këmbënguljen dhe harbutërinë e një ministri të qeverisë, gjë që s’besoj se është ogur i mirë, po themi, për njerzit e medias, për gazetarët dhe për shoqërinë civile në Shqipëri.” /tvklan.al