I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, pas daljes së akt ekspertimit ku thuhej se zjarri i rënë në datën 16 Gusht në çerdhen nr 14 ka qenë i qëllimshëm. Nëpërmjet një deklarate të bërë nga deputetja Albana Vokshi, e gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një manipulim që po i bëhet publikut dhe se situata në çerdhet e kryeqytetit është shumë e rrezikshme.
“Veliaj që s’ lë pemë, gur a stol pa propaganduar, vazhdon të fshihet pas urdhrave për manipulimin e dy ngjarjeve të rënda që nxorën në dritë sa të pasigurtë janë fëmijët në çerdhe dhe kopshtet e Tiranës.
Vartësit e Erion Veliaj në Shërbimin e Zjarrfikësve, në tejkalim kompetencash, pohuan atë që Erion Veliaj kishte paracaktuar që ditën e parë dhe që e deklaroi drejtoresha e çerdheve në bashki: se zjarrvënia është e qëllimshme dhe jo përgjegjësi e Bashkisë”.
Opozita ka bërë fajtor kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj.
Deklarata e plotë e Albana Vokshit:
Një javë nga shpërthimi i bombolës së gazit në çerdhen nr. 14 në “Ali Demi” dhe tre dite nga zjarri në çerdhen nr. 16 në Blloku, jo vetëm nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, por ai po bën gjithçka për të manipuluar opinionin publik.
Veliaj që s’ lë pemë, gur a stol pa propaganduar, vazhdon të fshihet pas urdhrave për manipulimin e dy ngjarjeve të rënda që nxorën në dritë sa të pasigurtë janë fëmijët në çerdhe dhe kopshtet e Tiranës.
Vartësit e Erion Veliaj në Shërbimin e Zjarrfikësve, në tejkalim kompetencash, pohuan atë që Erion Veliaj kishte paracaktuar që ditën e parë dhe që e deklaroi drejtoresha e çerdheve në bashki: se zjarrvënia është e qëllimshme dhe jo përgjegjësi e Bashkisë.
Provat qesharake se kanë gjetur një xham të thyer në një dhomë, ku shpërthimi i një bombole gazi kishte rrëzuar murin përtokë, ngjajnë me skenarin e Griseldës shtatzënë të rrëmbyer nga qeveria e Berishës, skenar të cilin Erion Veliaj e përhapi në Europë për të akuzuar Partinë Demokratike.
Ftojmë mediat të publikojnë të plotë deklaratën e datës 16 të drejtoreshës së çerdheve, e cila, me urdhrin e Erion Veliajt, siguroi prindërit se shpërthimi nuk ka ndodhur në çerdhe, se çerdhet nuk përdorin gaz dhe se ato janë të sigurta.
Në të dyja rastet, si drejtoresha e çerdheve, si zjarrfikësit, po manipulojnë të vërtetën, duke konsumuar disa vepra penale, për të fshehur përgjegjësinë e Erion Veliajt, njësoj siç u veprua edhe me fshehjen e vrasjes së 16 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës 2 vjet më parë.
Nëse e vërteta do të ishte kjo që po tenton të na imponojë Erion Veliaj, atëherë i gjithë shteti duhet të ishte në këmbë, sepse do të ishim përpara akteve të mirëfillta terroriste.
Heshtja e Erion Veliajt është provë e qartë e përgjegjësisë së tij direkte ligjore në mosverifikimin e sigurisë në çerdhe dhe që po rrezikon seriozisht jetën e fëmijëve.
-
Në asnjë vend të botës një kryetar bashkie nuk do të heshtte për dy ngjarje kaq të rrezikshme për jetën e qindra vogëlushëve, siç po bën Erion Veliaj.
-
Në çdo vend normal të botës, kryetari i bashkisë do të shkonte në çerdhet e përfshira nga zjarret dhe do të urdhëronte verifikimin urgjent të gjendjes.
– Por vetëm në një vend si Shqipëria, kryetari i bashkisë përdor fëmijët si fasadë dhe kapital politik, pavarësisht se cënon sigurinë e jetës së tyre.
Qytetarët e Tiranës nuk meritojnë një kryebashkiak si Erjon Veliaj, që mashtron dhe vë në rrezik jetën e fëmijëve të Tiranës, për përfitime ekonomike e politike.
/tvklan.al