“Kosova hyri në një proces të tillë pa platform”
Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të nxituar, të paqartë dhe pa mbështetje të nevojshme politike e institucionale takimin e Brukselit mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Në një deklaratë për mediat, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media tha se PDK nuk është kundër dialogut, por kundër mënyrës sesi pala kosovare u qas në këtë dialog.
“Ne jemi seriozisht kundër qasjes dhe mënyrës së gabuar se si Qeveria e Kosovës po i qaset dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Takimi para dy ditësh në Bruksel tregoi se Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur politikisht dhe përmbajtësisht për dialogun dhe ajo hyri në një proces të tillë pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë për këtë proces dhe pa asnjë ekspertë”.
Sipas PDK-së si pasojë e kësaj qasje të gabuar, Kosova ka rifilluar dialogun me Serbinë pa afat kohor, pa parime dhe pa unitet, duke e dëmtuar pozicionin negociues te Kosovës.
“Përgatitja e vetme është vetëbesim naiv, i cili do të mund ta drejtojë këtë proces në një udhë pa krye. Takimi në Bruksel është vetëm goditje ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të të gjitha partive politike në Kosovë për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët karshi Serbisë. Ky është avazi i njëjtë i ndjekur edhe nga ish-Qeveria Kurti, e cila hartoi një listë të detyrave të shtëpisë pa koordinim me Amerikën jashtë dhe pa unifikim të partive kryesore politike brenda”.
Ish-ministri i Jashtëm tha se takimi ne Bruksel nuk ishte mbajtur në këtë moment deri sa të krijoheshin rrethanat e përshtatshme dhe të rikthehej presidenti në Kosovë.
Tv Klan