Abstenimin e unifikuar të socialistëve për mocionin për mandatin e Olta Xhackës, kreu i grupit kuvendor socialist mohon të jetë një votë kundër Gjykatës Kushtetuese. Ai ka një tjetër emërtim për atë që nënkupton vota e tyre për të mos e çuar për gjykim çështjen e papajtueshmërise së mandatit të koleges Xhaçka.

Niko Peleshi: Fjala kyçe që përcakton situatën, paqartësi. Cila e drejtë prevalon, kjo është paqartësi. E vlerësoj si vendimin e duhur dhe të mençur për ta çuar në Komisionin e Venecias.

Po përse ishin të paqartë socialistët?

Niko Peleshi: Nga njëra anë kemi të drejtën për të votuar i lirë deputeti, nga ana tjetër kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kam votuar abstenim sepse bëj pjesë në atë grup deputetësh që janë të paqartë se kush prevalon, vullneti i lirë i deputetëve apo i Gjykatës Kushtetuese. Të dyja bazohen në Kushtetutë.

Qartësimin, grupi parlamentar i shumicës e pret nga Komisioni i Venecias të cilit ju drejtua me një letër me 5 pyetje kryetarja e Kuvendit për të marrë një opinion se kush nga të drejtat kushtetuese prevalon: Detyrimi për të zbatuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, apo vullneti i deputetit për të votuar i lirë.

Peleshi siguron se cilido të jetë opinioni që do të japin ekspertët e Venecias, socialistët do ta zbatojnë pa asnjë hezitim dhe do të jetë referencë për çdo rast që deputetët do të votojnë për vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan