Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi thotë se demokratët mund të kishin dalë më mirë në zgjedhjet e së martës nëse Presidenti Joe Biden do të dilte më shpejt nga gara.
Demokratja që konsiderohet një nga politikanët më të fuqishme në Uashington i tha New York Times se “nëse Presidenti do të hapte rrugë më shpejt, mund të kishte pasur kandidatë të tjerë në garë”.
Akuzat e saj janë në vazhdën e disa zërave kritikë brenda demokratëve që tashmë kanë drejtuar gishtin nga kreu i Shtëpisë së Bardhë duke e bërë atë fajtor jo vetëm dështimin në garën presidenciale, por edhe për humbjen e kontrollit në të dyja dhomat e Kongresit.
Pelosi ishte nga zërat e parë që kërkoi largimin e Biden nga gara pas debatit zhgënjyes përballë Trump. Pelosi argumentoi se Harris do të kishte bërë mirë nëse do të kishte kaluar përmes një gare primaresh brenda partisë.
Pelosi u rizgjodh në mandatin e saj të 20-të si kongresmene e Kalifornisë në Dhomën e përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës. Kritika për Biden kanë shprehur edhe disa përfaqësues të tjerë të demokratëve.
Tv Klan