Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, beson se skuadra do të rikthehet te fitorja në sfidën e radhës ndaj Brighton, ndërsa ka pësuar tri humbje radhazi.

Citysens u eliminuan nga Ligue Cup nga Tottenham, u mposhtën në vazhdim nga Bournemouth në kampionat dhe Sporting Lisboa i mundi 4-1 në Ligën e Kampioneve. Në stolin e portugezëve ishte trajneri i ardhshëm i Manchester United, Ruben Amorim.

Por tekniku katalanas vuri në dukje faktin se ekipi pavarësisht humbjeve, në shumicën e kohës tregoi superioritet.

“Ka gjithmonë një herë të parë, pra që të humbësh katër ndeshje radhazi! Shpresojmë se nuk do të jetë kështu! Njëzet minuta kundër Fulhamit nuk ishim mirë, kundër Bournemouthit nuk ishim mirë, por në pjesën tjetër të ndeshjeve luajtëm saktë. Jemi në formë, por të shikojmë se çfarë do të ndodhë!”

Guardiola kurrë nuk ka humbur katër ndeshje radhazi si trajner, por City i tij nuk fitoi në 6 takime radhazi në sezonin e tij të parë në krye në 2016-17.

Jack Grealish nuk do të jetë i disponueshëm për përballjen ndaj Brighton, ashtu si edhe John Stones dhe Ruben Dias. Guardiola shtoi se lojtarët e tij janë gati të japin më të mirën në fushë.

“Ne nuk jemi mësuar të humbasim tre ndeshje në tre kompeticione të ndryshme, por është futboll dhe kjo ndodh. Ne e dimë arsyen pse kemi vështirësi, por jemi të paduruar për këtë takim. Pas pushimit për sfidat e kombëtares, na kthehen disa lojtarë. Shpresoj se të gjitha problemet e vogla do të zgjidhen!”

City pozicionohet në vend të dytë në renditje në kuotën e 23 pikëve, 2 më pak se sa Liverpuli kryesues pas 10 javëve të luajtura.

Klan News