Lëvizja për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste ka kërkuar zyrtarisht futjen në Kuvend të kësaj force politike. Përfaqësuesit e saj bënë publike një deklaratë, ku theksohet, se bojkoti është veçse një opsion për izolim të PS-së e se po imponohet për shkak të zgjedhjeve në parti.

Anëtari i kryesisë, Ben Blushi, tha se me shpalljen e raportit përfundimtar  të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR, bojkoti është i pajustifikuar.

Ben Blushi: “Të shqetësuar se bojkoti e cenon rëndë imazhin e PS-së, duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra dhe të tejkaluara, të bindur se bojkoti i parlamentit po kushtëzohet dhe po imponohet kryesisht nga zgjedhjet brenda PS-së. Të sigurt se sot vendi  ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën shqiptare në Parlament përballë një qeverie e cila nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit. Ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS-së të lexojë me qetësi dhe realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet dhe kërkesën e tyre unike për veprim opozitar në Kuvend dhe së dyti të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e Parlamentit duke përshtatur qëndrimin e vet politik me ato të institucioneve ndërkombëtare.”

Blushi kujtoi për gazetarët se qëndrimi kundër bojkotit ka qenë një pozicion i hershëm i zërave kundërshtarë në parti. Për këtë ai kujtoi asamblenë kombëtare të thirrur përpara kongresit të jashtëzakonshëm, atëherë kur u tha se opsioni për bojkot nuk ishte trajtuar asnjëherë.

Ben Blushi: “Përfaqësuesit e asamblesë kombëtare, kryetari i asamblesë kombëtare tha që kjo temë nuk është diskutuar. Për fat të keq u diskutua, u konsumua shumë keq në rrugë jo institucionale duke shkelur dhe procedurat e vendimmarrjes brenda PS-së. Është vendi sot për të kujtuar se në mbledhjen e grupit parlamentar të parën dhe të fundit për këtë sezon të gjithëve ne, na u mohua fjala.”

Anëtari i kryesisë, Arben Malaj, tha se qëndrimet e kësaj lëvizjeje janë institucionale. Malaj i trajtoi si kërcënim deklaratat e Edi Ramës për përjashtim nga grupi parlamentar të deputetëve që futen në Kuvend.”

Arben Malaj: “Lidershipi i PS-së e njeh këtë qëndrim tonë publik, bile problemi ka ardhur deri aty sa nga Peza apo nga Vlora. Grupi i kolegëve deputet që merr këtë përgjegjësi publike, për të ndihmuar që PS-ja të ndjej përgjegjësinë si forca më e madhe opozitare, të ndjej përgjegjësinë për misionin e saj modernizues në politikën shqiptare, kërcënohet nga qyteti i Vlorës deri në vetë përjashtim. Pra nuk është një qëndrim spontan, por është këmbëngulës dhe është gjithmonë një qëndrim pra sfidave të PS-së , se sa një debati individual brenda socialistëve.”

Për anëtarin tjetër të kryesisë Kastriot Islami, nuk do të jetë e largët dita kur PS-ja të dalë nga kjo situatë.

Kastriot Islami: “PS-ja do të dali nga kjo ëndërr, do zgjohet nga kjo situatë dhe do ta kuptojë që imazhi i saj është dëmtuar rëndë. Ky është shqetësimi im bazë sot, që ajo kthehet në praktika dhe në sjellje të tejkaluara të vjetra. Në qoftë se do na përjashtojnë për mendim ndryshe, kjo quhet metodë staliniste.”

Që prej mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, kundërshtarët e Edi Ramës kanë konsoliduar qëndrimet që hapur shkojnë kundër linjës zyrtare të partisë.

Themeluesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe thonë se Rama po personalizon partinë me qëllim rizgjedhjen si kryetar. Duke përdorur bojkotin si alibi të humbjes në zgjedhje./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi