5 ditë pas aksidentit të rëndë të ndodhur në aksin rrugor Përrenjas-Qafë Thanë, policia e Elbasanit njoftoi këtë të shtunë arrestimin e një 44-vjeçari. Nga hetimet policia thotë se rezultoi që 44-vjeçari u përplas fillimisht me një makinë, humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi në një servis, aty ku përplasi me makinë 4 persona, të cilët ndodheshin jashtë mjetit të tyre.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur më datë 08.04.2024, në aksin rrugor “Prrenjas-Qafë Thanë”, ku si pasojë mbetën të dëmtuar 4 shtetas, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë ndaluar me iniciativë shtetasin J. D., 44 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Shtetasi J. D., me automjetin që drejtonte, ka përplasur një automjet dhe si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi, ka goditur dhe një automjet tip “Passat”, në ambientet e një servisi. Për pasojë janë dëmtuar 4 shtetas që ndodheshin jashtë automjetit “Passat” (pasagjerë që udhëtonin në këtë automjet)”, tha policia e Elbasanit në një njoftim për mediat./tvklan.al