Ademi kallëzon drejtuesit e policisë. Balla: Sulmi i porositur nga Tirana
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka denoncuar në prokurori drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe ka kërkuar procedimin e tyre për shpërdorim detyre për mosvperimin e forcave të policisë kur Ademi ka njoftuar për dhunimin e selisë së Partisë Socialiste në Shkodër.
Ademi pranon se ndodhej në protestë bashkë me një një grup shkodranësh të revoltuar nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha, por mohon të ketë mbështetur një fraksion të rinjsh të cilët thyen selinë rozë.
“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim”.
Por kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha përmes një deklarate nga Shkodra, se protesta është organizuar nga Voltana Ademi dhe LSI, me urdhër nga Tirana.
“Sulmi i porositur nga Tirana, nuk është ideuar në Shkodër, ka për autorë Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe për fat të keq dhe Lulzim Bashën. Prej 30 vitesh nuk janë sulmuar kurrë selitë. Prej nesër do jetë gati përsëri për të kryer rolin e vet. Kjo protestë është organizuar nga bashkia Shkodër, LSI dhe Voltana Ademi”.
Por Partia Demokratike hodhi poshtë akuzat e Taulant Ballës dhe Ilir Beqajt duke përsëritur se policia ishte inekzistente gjatë të gjithë protestës.
“Inskenimi i ngjarjeve të sotme nga Edi Rama dhe policia që të vret natën dhe të qan ditën, si dhe akuzat e dala nga goja e Taulant Ballës dhe Ilir Beqjes se PD ka organizuar protestën e sotme, janë totalisht të pavërteta.
E vërteta është se policia, gjatë gjithë manifestimit të sotëm ka qënë inekzistente dhe nuk ka reaguar as kur është vënë në dijeni se çfarë po ndodhte. Policia nuk ka ushtruar detyrën funksionale të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe mbarëvajtjen e protestës. Nxitja e dhunës dhe e kaosit i sherbën vetëm Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga keqqeverisja dhe dështimet e tij në këto 7 vite. Protesta është e drejtë legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime. Edi Ramën,Taulant Ballën dhe Ilir Beqjen nuk e beson më askush. Manipulimet dhe inskenimet e tyre janë tashmë të përsëritura dhe të dala boje. Përçarja që duan të mbjellin në Shkodër do të rëndojë vetëm mbi to. Shkodranët pa asnjë dallim, janë bashkë, në mbrojtje të jetës dhe demokracisë. Boll më me inskenime, me nxitje dhune me gjuheë agresive ndaj qytetarëve. Ata nuk durojnë dot më talljen, nëpërkëmbjen, mashtrimin e kësaj qeverie, që të vret natën e të qan ditën. Qytetarët duan ndryshim”!
Tv Klan