“Vëllai i kryeministrit Edi Rama ka qenë i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë”.
Kjo deklaratë dhe premtimi i Blendi Fevziut për ta ftuar për të folur për këtë çështje e kanë sjellë sërish këtë të enjte në studion e emisionit “Opinion”, kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi (Lexo më shumë).
Ai sqaroi denoncimin e tij të bërë sot ndaj vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama.
“Denoncimi që unë kam bërë sot është një analizë e plotë e të dhënave të dosjes penale dhe i kam krahasuar me të dhënat personale të sistemeve shtetërore që përdor vëllai i kryeministrit”, u shpreh ai.
Sipas Bardhit, prokuroria në rastin e laboratorit të Xibrakës, arrestoi 9 persona të cilët më vonë edhe u dënuan. Ndërkohë në dosjen e prokurorisë flitet për një person të paidentifikuar nga policia.
“Prokurorët janë kujdesur që këtë faturën e mosidentifikimit të personit t’ia lënë Policisë së Shtetit që është në varësi të Edi Ramës dhe rezulton që ka hapur një dosje të veçantë, pra një procedim penal të veçantë. Pra në vendimin e gjykatës për dënimin e anëtarëve që u arrestuan thuhet ndër të tjera se në datë 8 Mars 2016 Prokuroria për Krime të Rënda ka ndarë procedime për bashkëpunëtorin e paidentifikuar duke e emëruar me numrin 335/1 procedimi për të cilin ka vlerësuar se kishte nevojë për hetime të tjera lidhur me identifikimin e këtij personi. Në dosjen dhe raportet e policisë ky person identifikohet si personi i moshës 45 vjeç, pra policia dhe prokuroria dinë ekzaktësisht moshën e personit me flokë të shkurtra, pra dinë dhe pamjen e tij dhe që përdor mjetin fuoristradë me targë AA 653 DM. Pra në këtë rast ka munguar vetëm emri”, tha ai.
Sipas Bardhit mjafton të verifikosh të dhënat e vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama dhe ka një përputhje me cilësimet me të cilat prokuroria i referohet këtij personi të paidentifikuar.
“Së pari Olsi Rama ka lindur më 9 Shtator 1969 dhe në periudhën që flitet, pra Dhjetor 2014, Janar 2015 ka qenë ekzaktësisht 45 vjeç. Së dyti besoj ti e njeh është një person me flokë të shkurtra. Rezulton që është një person me flokë të shkurtra. Ajo që i mbivendoset këtyre të dhënave që mund të jenë të rastësishme me çdo person tjetër ka të bëjë me faktin se sipas të dhënave të sistemit TIMS person i paidentifikuar përdorues i makinës me targë AA 653 DM rezulton të jetë shtetasi Olsi Rama. Këto janë të dhënat e sistemit TIMS, nuk janë shpikur nga Gazment Bardhi. Olsi Rama ka përdorur automjetin që referohet në dosje që përdoret nga ky person, i paidentifikuar…
A ka shqiptar që mund të besojë se policia arrin ta dallojë një person në pamje, arrin t’i caktojë moshën fikse pra nuk ka thënë rreth të 40 apo rreth të 50, ka thënë është i moshës 45 vjeç? A mund t’i caktosh dikujt moshën pa e ditur kush është? Ndërkohë që emrin nuk ia kanë vënë. Emrin ia vë sistemi TIMS sepse përdorimi i makinës me këto targa është bërë nga vëllai i kryeministrit”, tha ai.
Bardhi tha se të njëjtin automjet e kanë përdorur edhe 3 anëtarë të tjerë të grupit kriminal që janë identifikuar.
“Pra 3 të tjerë janë identifikuar, personi i katërt i paidentifikuar që ka përdorur makinën rezulton të jetë Olsi Rama”, tha ai.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, pronësia e mjetit në fjalë është në emër të një gruaje.
Kujtojmë se kur Bardhi paralajmëroi denoncimin për Olsi Ramën, kryeministri Edi Rama po nga studio e Opinion i ktheu përgjigje shqiptarçe deklaratave të tij. (Lexo më shumë)/tvklan.al