Veliaj: Po çlirohen hapësirat e zaptuara
Përurohet godina e re në Qytetin Studenti. Teksa përuroi godinën e re me standarde europiane, kryebashkiaku i Tiranë Erion Veliaj tha se kjo hapësirë do të përdoret edhe nga studentët që do të vijnë nga vendet e Bashkimit Europian në Kolegjin e Europës.
“Fakti që sot kemi ndërtuar godina studentore, të certifikuara edhe nga Kolegji i Europës, pasi do t’i përdorë edhe për studentët e saj që do të vijnë nga vendet e BE, do të thotë se kemi kaluar një test shumë të madh. Sigurisht, kur vjen e mira i harrojmë ditët e vështira, harrojmë kur kemi qenë këtu dhe fadromat prishën çfarë kishte mbetur nga tërmeti, të atyre ndërtesave që ishin të zaptuara. Ende nuk është perfekt, ende ka çibanë e njerëz që kanë hyrë në territor, por të paktën kemi ruajtur integritetin fizik të pjesës më të madhe të territorit”.
Veliaj tha se hapësirat e zaptuara më përpara, do të çlirohen për t’i hapur rrugë zhvillimit të zonave, duke folur këtu për zgjerimin e Lumit të Lanës.
“Edhe te Lana, projekti i Lanës do të bëhet, ajo do të zgjatet, ndërkohë po ndërtohen pallatet që do strehojnë banorët që kanë ndërtuar gabimisht në shtrat të lumit, në kohën kur lejoheshin këto gafa. Ata do trajtohen me njerëzillëk, që edhe Lana të trajtohet, por edhe qyteti të përfitojë nga lirimi i trafikut, urat dhe mospërmbytja. E njëjta gjë po ndodh edhe me unazën, edhe te Njësia 11 dhe te 4, edhe te 3-shi: edhe unaza do bëhet, po edhe njerëzit do strehohen momentalisht me bonus qiraje”.
Sipas kryebashkiakut Veliaj, të gjitha familjet e prekura nga projektet do të trajtohen me skemat sociale të bashkisë.
Tv Klan