Lajme Arkiva 2004

Sesioni i jashtëzakonshëm i Kuvendit është pezulluar me kërkesë të opozitës, e cila kërkoi që kryeministri Nano të ishte prezent gjatë diskutimeve për mocionin e mosbesimit ndaj tij.

Sali Berisha: O zoti Servet të mos bëjmë kështu tani, nuk duam të konsumojmë kohën e asnjë njeriu, sepse atij në çdo fjalë që ti thuash nuk është se e nxin më shumë se ç’është i nxirë. Urdhëro zotëri, të  kthehet nga  Mali i Zi, të ftohet në derën e parlamentit, të caktohet seanca kur të jetë ai, por mocion pa atë ne nuk zhvillojmë. Turp për ju! Ju e dini Kushtetutën.

Gramoz Ruçi: Nuk mund të diskutohet në mes të seancës të vazhdojmë apo mos të vazhdojmë për seancën dhe aq më tepër një seancë të jashtëzakonshme, e para. E dyta, nuk mund të diskutojmë nëse do e bëjmë votimin sot, nesër apo pasnesër, rregullorja thotë jo më shpejt se tre ditë nga paraqitja e tij, që i bie ditën e diel, ka dysheme, por nuk ka tavan, mund të vendoset data por jo më shpejtë se e diela.

Bamir Topi: Është më shumë se kurrë sot që kryeministri duhet të ishte në këtë sallë. Për këtë arsye duke marrë mirëkuptimin e plotë të të gjithë grupeve parlamentare të opozitës, ne kërkojmë që seanca të pezullohet deri në momentin e ardhjes së kryeministrit dhe deri në atë moment jemi të gatshëm të zhvillojmë debatin dhe të kalojmë në votim.

Në mbledhjen e grupit parlamentarë socialist u vendos që seanca e jashtëzakonshme të vazhdojë ditën e shtunë në orën 17:00. Edhe pse kryetari Gramoz Ruçi propozoi që seanca të vazhdojë deputetët e tjerë socialist ashtu si dhe opozita, kërkuan që seanca e jashtëzakonshme të vazhdojë pa ndërprerje nesër me qëllim që kryeministri Nano dhe Opozita të jenë  të pranishëm në debat./tvklan.al