Pas deklarimit të qeverisë amerikane se po planifikon një program për normalizimin e situatës financiare.

Bursat kanë reaguar pozitivisht. Indeksi “Dow Jones” në Nju Jork dje u mbyll me 3.5% rritje, ndërsa bursa e Hong Kongut u hap sot me 7% rritje në krahasim me një ditë më parë.

Në Japoni rritja e regjistruar ishte 3.1%. Mësohet se situata po shkon drejt forcimit edhe në Tajvan, Korenë e Jugut, Singapor dhe Australi.

Ndërkaq kongresi amerikan ka njoftuar se po shqyrton mundësinë e krijimit të një agjencie shtetërore për borxhet e bankave.

Sekretari amerikan i thesarit, Henry Paulson, tha se po punohet me kongresin për legjislacionin, i cili do të shpëtojë bankat nga problemet me borxhet dhe kreditë, të cilat shkaktuan kolapsin financiar në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët thanë se ligjvënësit pritet që shumë shpejt të shqyrtojnë propozimet për legjislacionin emergjent.

Dje bankat qendrore më të mëdha të botës njoftuan se do të hedhin në tregje miliarda dollarë.

Rezerva Federale do të hedhë 180 miliard dollarë në një hap të bashkërenduar me bankat qendrore në Kanada, Britani, Japoni, Zvicër si dhe në Bankën Qendrore Evropiane që së bashku do të hedhin 67 miliard të tjerë./tvklan.al