“Me strategjinë e përballimit të epidemisë gjatë periudhës vjeshtë-dimër, fuqizojmë strukturat spitalore, jo vetëm për 4 strukturat COVID që kanë një kapacitet rreth 500 shtretërish të dedikuar por edhe në vijim të të gjithë projeksioneve që ekspertët tanë na kanë vënë në dispozicion për t’iu përgjigjur edhe flukseve në rritje, do të dyfishojmë kapacitetet me shtretër, duke përfshirë edhe spitalet rajonale”.
Deklarata u bë nga Ministrja Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të 20 respiratorëve të rinj nga Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, pjesa e pestë e ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në kuadër të mbështetjes për përballimit e situatës së shkaktuar nga COVID19.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se në kuadër të forcimit të kapaciteteve për planin vjeshtë dimër, po investohet edhe në spitalet rajonale dhe në fuqizimin e flotës së Urgjencës Kombëtare, të cilës do t’i shtohen 36 autoambulanca të reja.
“Jemi duke investuar brenda këtij viti për të rinovuar flotën e pajisjeve të imazherisë me skanera, rezonancë dhe aparatura të tjera në funksion të fuqizimit të kapaciteteve spitalore, ku përfshihen edhe respiratorët. Gjithashtu do të fuqizojmë Urgjencën Kombëtare me 36 autoambulanca të reja”, deklaroi Manastirliu.
Duke e konsideruar një aset të çmuar ekipin e mjekëve dhe infermierëve, Manastriliu tha se është marrë vendimi dhe shumë shpejt do të bëhet e ditur nga qeveria shqiptare rritja e konsiderueshme e pagave për mjekët dhe infermierët.
“E kemi marrë vendimin për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët dhe shumë shpejt siç Kryeministri e ka thënë do të bëjmë të ditur këtë rritje sinjifikative të pagave për personelin mjekësor dhe infermieror. Ndërkohë do të vijojë mbështetja me bonusin special për të gjithë ata punonjës shëndetësie, të cilët janë në vijën e parë të betejës me Covid19”, tha Manastirliu.
Ambasadori Soreca është shprehur se BE do të vijojë mbështetjen për Shqipërinë me qëllim përballimin e situatës së vështirë të shkaktuar nga pandemia e COVID19.
“Kjo është hera e 5-të që asiston BE për të ndihmuar Shqipërinë në kuadër të pandemisë. E kemi përshtatur edhe programin tonë në vazhdimësi duke bërë të mundur edhe 10 milionë euro, të cilat do të vihen në dispozicion të Shqipërisë për të ndihmuar të gjitha ato aspekte që janë më të rëndësishme në luftën kundër Covid19”, tha ambasadori Soreca./tvklan.al