Në Greqi ka filluar një hetim për vdekjen në rrethana të dyshimta të shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikollaj, ndërsa ndodhej në një rajon policie në Athinë.
Përfaqësues të ambasadës shqiptare janë takuar të hënën me drejtues të rajonit, ku ka ndodhur ngjarja, në përpjekje për zbardhjen sa më shpejt të kësaj çështjeje.
Oficeri i ndërlidhjes i policisë shqiptare në Athinë, Bujar Mema, tha se përfaqësuesit e policisë greke kanë përsëritur versionin e vetëhedhjes së viktimës nga dritarja.
Sipas policisë greke, viktimës i është dhënë menjëherë ndihma e parë në pritje të autoambulancës, e cila ka ardhur brenda një kohe optimale, por 28-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Policia greke thotë se ekzistojnë dhe pamje filmike që vërtetojnë versionin e tyre, por këto pamje nuk mund të disponohen për momentin, pasi janë përfshirë në dosjen e çështjes, me cilësinë e provës.
Tv Klan