E ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan psikologia Ardiola Bodinaku foli në lidhje me divorcet përjetimet e çiftit dhe aq më tepër të fëmijëve, të cilët vuajnë më së shumti pasojat nga kjo ndarje.
E pyetur se sa praktikohet terapia tek psikologu në vendin tonë psikologia tha se tashmë është rritur ndjeshëm numri i çifteve të cilët kërkojnë terapi para por edhe pas divorcit.
- A ka shumë njerëz që vijnë në terapi, është praktikë vë vendin tonë?
Ardiola Bodinaku: Po është rritur ndjeshëm numri i çifteve që kërkojnë të këshillohen dhe të trajtohen në çështjet e tyre emocionale dhe në partneritet nga nja psikolog. Rastet janë të shumta me shkaqe të panumërta, por është e rëndësishme që fokusi sikurse e nisëm bisedën është që duhet të kujdesemi për atë që është më i dobët dhe ai që është më i dobët në këtë dyshe është fëmija.
Katerina Trungu: Zakonisht vijnë për të kërkuar ndihmë për veten apo për fëmijën që pastaj vuan pasojat?
Ardiola Bodinaku: Janë shumë të ndryshme. Vijnë sepse kanë mbyllur një divorc dhe duan që të rimëkëmbin veten e tyre. Vijnë sepse kanë mbyllur marrëdhënien e tyre dhe duan që të ndërtojnë edhe një herë marrëdhënien në distancë për një lumturi të fëmijës.
Më tej psikologia e vendosi vëmendjen kryesore tek fëmijët, duke thënë se prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrën se si duhet të sillen me ta në bazë të moshës dhe aftësive të tyre për të kuptuar situatën.
Ardiola Bodinaku: Duhet të kemi kujdes për moshën me të cilën kemi të bëjmë me fëmijët. Një 18-vjeçar apo një 19-vjeçar ka tjetër reagim, perceptim apo mirëkuptim ndaj prindërve, ndryshe nga një fëmijë që mund të jetë 6 vjeç ose 7 vjeç ose dhe një fëmijë akoma e më i vogël. Gjuha me të cilën ne duhet t’ia shpjegojmë arsyet se pse ne si çift po shkojmë drejt kësaj zgjidhjeje. Që do të thotë se duhet të jemi të hapur, të japim ato detaje që kapaciteti dhe inteligjenca mendore dhe emocionale e fëmijës është në gjendje ta perceptojë dhe ta pranojë. Ti tregojmë se pavarësisht se ne të dy si mami ashtu edhe babi kanë vendosur të mos jenë bashkë në një çati, por janë një mbështetje e madhe për ty në çdo festë. Është shumë e rëndësishme që sidomos në rastet kur prindërit janë në divorc, duhet të bëjnë të pamundurën që të jenë në festa të dy bashkë./tvklan.al