Ethet e çerekfinaleve kanë përfshirë të gjithë ekipet dhe radhën për sot e ka grupi B. Kroaci – Gjermani në ora 18:00 në Klagenfurt dhe Austri – Poloni në 20:45 në Vjenë janë sfidat e Euro 2008. Interesi më parë shkon në sfidën e ndezur mes kroatëve dhe gjermanëve. Skuadrat kryesuese të grupit do të synojnë fitoren me shpresë për të prekur turin tjetër.
Kroacia është gjitha e gatshme përfshi yllin e saj Luka Modric, të cilit i kaloi menjëherë dëmtimi në kavilje. Një armë plus për ekipin ballkanas janë padyshim 6 lojtarë që aktivizohen në Bundesligë. Në kampin tjetër Joachim Loew pritet t’i besojë thuajse të gjithë 11-shes në sfidën me Poloninë duke ndryshuar një ose dy elementë. Gjermania favorizohet nga statistikat por e vetmja humbje që i ka shkaktuar kroatët në Botërorin e 1998, i kushtoi eliminimin nga çerekfinalet.
Vlerat e saj të padiskutueshme ka edhe sfida tjetër mes Austrisë dhe Polonisë, debutueset e këtij turneu. Të ekipet nuk kanë asnjë pikë dhe fitorja shfaqet si e vetmja shpresë për të synuar kalimin e turit. Polakët nuk do të kenë lojtarin kyç për skuadrën, kapitenin Maciej Zurawski i dëmtuar në sfidën hapëse. Mungesë e sigurt për austriakët është sulmuesi Roland Linz. Në rastet e mëparshme Polonia kryeson me vetëm një fitore më shumë, në shtatë ndeshje të zhvilluara. Takimet e sotme ju do t’i ndiqni si gjithnjë në Supersport edhe në kanalet HD./tvklan.al
Gazetar: Endrit Sauku