Pretendentët për titull në Premier League, nuk zhgënjyen në ndeshjet e tyre respektive, të vlefshme për javën e shtatë.

Manchester City triumfoi 3-2 me përmbysje ndaj Fulham në shtëpi. Miqtë e nisën ndeshje shumë mirë, duke kaluar në avantazh me Pereira në minutën e 26-të, por “qytetarët” rikthyen baraspeshën me Kovacic në minutën e 32-të.

Ishte sërish mesfushori që shënoi në fillimin e pjesës së dytë, për të kaluar vendasit në avantazh, ndërsa në minutën e 82-të, Doku vulosi fitoren. Goli i Muniz për Fulham në fund, kishte vetëm vlerë statistikore.  

Me këtë fitore, City mban vendin e dytë me 17 pikë, po aq sa edhe Arsenali i vendit të tretë.

“Topçinjtë” fituan gjithashtu me përmbysje ndaj Southampton, me rezultatin 3-1. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ishte tjetër histori. Archer kaloi miqtë në avantazh në minutën e 55-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë, Havertz barazoi për Arsenalin.

Martinelli përmbysi sfidën në minutën e 68-të, përpara se Saka të shënonte edhe të tretin në minutën e 88-të.

Në sfidat e tjera, West Ham mposhti 4-1 skuadrën e Ipswich, ndërsa Brentford fitoi 5-3 ndaj Wolves. Fitore minimale për Leicester ndaj Bournemouth. /tvklan.al