Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e akademikut Rexhep Qosja. Presidenti Begaj vlerësoi krijimtarinë e tij shkencore, letrare, artikujt kritikë me vlerë, si dhe veprimtarinë intelektuale. Qosja i shprehu Presidentit Begaj mbështetje në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet respektimit të standardit të gjuhës letrare shqipe në Shqipëri dhe Kosovë.
Ndërsa evokoi figurat e Rilindjes Kombëtare, në veçanti veprimtarinë atdhetare, politike dhe letrare të Sami, Abdyl dhe Naim Frashërit, dhe të Naum Veqilharxhit, akademiku Qosja theksoi nevojën për vepra konkrete, që nxjerrin në pah vlerat e rilindësve dhe personaliteteve të shquara shqiptare, me synim ndërgjegjësimin e brezave të rinj.
Gjatë bisedës kujtuan me nderim sakrificat gjatë luftës së Kosovës dhe heroizmin e familjes Jashari, anëtarët e së cilës, burra, gra e fëmijë, dhanë jetën për këtë tokë, duke u shndërruar në një shembull unik në botë./tvklan.al