Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk ka thënë se ka një

“vend të veçantë në ferr”

për ata që promovuan daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian pa pasur një plan që largimi nga unioni të realizohej pa pasoja. Këtë deklaratë Tusk e bëri pas takimit që pati në Bruksel me Kryeministrin irlandez Leo Varadkar.

Nuk ka ende një marrëveshje të miratuar nga Parlamenti i Britanisë së Madhe për shkëputjen e kësaj të fundit nga BE, ndërkohë që kanë mbetur edhe 50 ditë nga largimi përfundimtar. Tusk nuk përjashton daljen pa një marrëveshje, gjë që do të sillte pasoja, por u shpreh se do të përpiqet që të realizohet në mënyrë sa më paqësore.

“Unë e di që një numër i madh personash në Britani të Madhe, në Evropë dhe në Irlandë dëshirojnë që të anulohet ky vendim. Por faktet janë të pagabueshme. Sot nuk ka asnjë forcë politike dhe asnjë udhëheqje efektive që të kërkojë anulimin e vendimit. Nuk ndjej kënaqësi që e them këtë, por nuk mund të debatojmë mbi faktet”,

ka deklaruar Tusk.

Kryeministrja britanike Theresa May do të shkojë të enjten në Bruksel për të kërkuar ndryshime ligjore në marrëveshjen e nënshkruar me BE-në për Brexit. Ajo shpreson se këto ndryshime do t’i japin mundësinë që marrëveshja të pranohet nga deputetët britanikë dhe Parlamenti ta votojë. Por zyrtarët e Bashkimit Europian duket se janë të ngurtë për të rinegociuar këtë marrëveshje.

/tvklan.al