Procesi i pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet e reja ka shënuar të hënën një tjetër rekord. Autoritet i referohen shifrës së aplikimeve të kryera vetëm dje që dukshëm kanë shfaqur interesin e qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftimin e ri, por edhe dëshmuar kapacitetin për të mbuluar me këtë shërbim edhe jashtë kapacitetit zyrtarë të deklaruar prej 15 mijë aplikimesh në dit.

Ferdinand Poni: “Dje kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 19.486 shtetas. Që është një rekord, një rekord dhe i shkëputur dhe nga rekordet e tjera, se ne rekordet i kemi pas te 17.500 maksimumi. Dmth jemi, gjithashtu dua ta theksoj gati 4500 aplikime më shumë sesa kufiri maksimal i deklaruar nga kompania që ka qenë 15 mijë. Që do të thotë ne punojmë me kapacitet edhe 33, 35% më shumë se sa kufiri maksimal i deklaruar që tregon qartazi për suksesin e procesit”.

Në total shifra e shtetasve që kanë aplikuar, llogaritet në 868242. Numri i letërnjoftimeve të prodhuara llogaritet në 687433, të cilat 652292 ndodhen në zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve. Zv/ministri i brendshëm, Ferdinand Poni, pasi publikon shifrat gjen rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të tregojnë për tërheqjen e letërnjoftimeve të njëjtin disponibilitet si kundër për aplikimin.

Ferdinand Poni: “Në total numri i letërnjoftimeve që tashmë i disponojnë qytetarët që i kanë në xhep është 338741. Nëse ka një shifër që ministria kërkon që të avancohet më shumë është tërheqja nga qytetarët. Vini re ka një diferencë gati 250 mijë midis disponibilitetit me karta dhe letërnjoftime që ka në zyrat tona të shpërndarjes dhe tërheqës nga qytetarët. Pra ne kërkojmë të kemi kapacitete dhe më shumë që të vijnë t’i tërheqin, siç e kam thënë dhe herë të tjera besoj se është një nga mesazhet kryesore që dua t’i jap ose dua të komunikoj me qytetarët tanë që nuk mbaron tek bërja e aplikimit. Duhet të vijnë t’i tërheqin letërnjoftimet e tyre”.

Poni thotë se për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime, respektohet afati prej 2 javësh përjashtuar rastet kur shfaqen probleme me të dhënat biometrike.

Ferdinand Poni: “Dmth makina nuk i njeh mirë shenjat e gishtave për shkak të cilësisë së ulët të gishtave apo të cilësisë së dobët të fytyrës, apo të cilësisë së dobët të nënshkrimit që të gjitha përgjegjësish të superuara”.

Autoritet theksojnë se ecuria e procesit në të 450 qendrat e aplikimit është shumë e mirë. Shtetasit munden në çdo kohë të tërheqin pranë zyrave postare kuponat për aplikim. Shifrat zyrtare flasin se rreth 45% e totalit të shtetasve që kanë aplikuar që llogaritet të jetë 868242 vetë i përkasin kontingjentit të shtetasve pa pasaportë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi