“Qeveria të marrë masa, po shtohen sëmundjet kancerogjene”

Më shumë se 40 organizata joqeveritare kanë organizuar një marshim në Shkup, nën moton “Të themi JO për 3.500 raste fatale në nivel vjetor si pasojë e ndotjes së ajrit!”.

Për herë të dytë brenda disa javëve, me mijëra njerëz, kryesisht të rinj kanë protestuar rrugëve të Shkupit kundër ndotjes enorme të ajrit. Protestuesit kanë kërkuar nga qeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor që të ndërmarrin masa urgjente për zvogëlimin e ndotjes. Organizatorët e marshit protestues thanë se deri më 31 Dhjetor qeveria ka afat të plotësojë kërkesat e tyre kundër ajrit të ndotur, në të kundërtën, siç thanë, drejtësinë do ta kërkojnë në rrugë.

“Zëshëm do t`i rikujtojmë institucionet se nuk i kanë kryer obligimet ndaj qytetarëve. Nuk do të heqim dorë nga kjo luftë, për shkak se ne të gjithë kemi të drejtë për ajër të pastër”, kanë thënë aktivistët ekologjik.  

Paraprakisht, në disa shkolla të mesme në vend u bojkotua edhe mësimi në shenjë revolte kundër ndotjes së ajrit. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor në Shkup tregojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit në shumë qytete të vendit duke shënuar praninë e grimcave kancerogjene, dhjetë herë mbi normat e lejuara. 

Ndotja e ajrit ka rritur edhe numrin e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore, në veçanti të të sëmurëve kronik. Mjekët kanë rekomanduar që në ditët me ndotje të lartë të mos dilet në ambiente të hapura, apo në rast të nevojës, të përdoren maska mbrojtëse.

Tv Klan