Ekspert i ligjit, Gent Ibrahimi, e cilëson paradoks angazhimin e opozitës për të mbledhur 20 mijë firma qytetarësh që legjitimojnë iniciativën për një projektligj për të hapur kutitë e votimit të 28 Qershorit, paradoks që sipas Ibrahimit nuk lidhet vetëm me faktin që mazhoranca është votëbesuar nga të paktën 600 mijë shtetas, por dhe ekzistencën e një rruge më të lehtë po aq ligjore për të çuar tek projektligji. Në këtë rast do të mjaftonte iniciativa e një deputeti.
Gent Ibrahimi: “Për të qenë formalist do thoja që nuk ka ndonjë gjë antikushtetuese të kërkosh një ligj të ri përmes firmave të 20 mijë zgjedhësve, por kjo është thjesht paradoksale. Të kërkosh 20 mijë firma në një kohë që shqiptarët kanë dhënë 600 mijë firma në formën e votave. Kështu që unë besoj që mjafton edhe një deputet i vetëm i PS të shkojë në Kuvend të bëjë betimin, të marri mandatin dhe ti propozojë një ligj dhe ky është paradoksi i parë dhe i madh i këtij propozimi.”
Eksperti i ligjit i shton të tjera argumente qëndrimit të tij duke nënvizuar faktin se në të gjitha rastet ky projektligj nuk do të kishte efekt prapaveprues.
Gent Ibrahimi: “Hapja e kutive të votimit është një element, është një procedurë që ka të bëjë me procedurat zgjedhore. Gjithçka që ka të bëjë me procedurat zgjedhore duhet të rregullohet në kodin zgjedhor. Pra unë nuk mund të imagjinoj një ligj të posaçëm për hapjen e kutive të votimit në një kohë që kemi një kod zgjedhor i cili parashikon midis tjerash edhe kushtet dhe rastet se kur bëhet hapja e kutive të votimit. Dhe paradoksi i tretë që shoh unë në këtë rast është fakti që edhe një ligj i tillë në rast se dikush do ti merrte era mend, do të pranonte miratimin e një ligji të tillë. Ky ligj do të kishte fuqi vetëm për të ardhmen, pra këto kuti të këtyre zgjedhjeve nuk do të mund të hapeshin në bazë të këtij ligji që propozohet nga ana e PS-së. Pra unë nuk shoh asnjë efekt real dhe të mundshëm të këtij ligji”
Për Ibrahimin, hetimin e zgjedhjeve mund ta bënte fare mirë një komision hetimor parlamentar pa qenë nevoja e miratimit të një ligji për këtë qëllim.
Gent Ibrahimi: “Ekzistojnë strukturat ligjore që janë të supozuara ta hetojnë krimin zgjedhor. Hapja e kutive të votimit është një nga mjetet në dorën e strukturave zgjedhore për të kuptuar nëse ka pasur apo jo krime zgjedhore. Natyrisht që vazhdohet edhe më tej me hetimin penal në rast se ekzistojnë faktet për një gjë të tillë, por në rast kur një pjesë, një krah i politikës mendon që për një arsye apo tjetër strukturat kompetente, KQZ, gjykata, kolegji zgjedhor, janë të kapura nga pushteti atëherë ekziston gjithmonë opsioni i hetimit parlamentar. Natyrisht që hapja e kutive mund të bëhet edhe në kuadrin e hetimit parlamentar.”
Hetimi i zgjedhjeve ka përfshirë në debat publik mazhorancën dhe opozitën. Në një debat që po mban jashtë dyerve të Kuvendit grupin parlamentar socialist prej të paktën 1 muaji e gjysmë.
Socialistët refuzuan së fundmi dhe ofertën e kryeministrit Sali Berisha për të patur shumicën në një komision hetimor parlamentar, refuzim që nisej nga pretendimi se mazhoranca kërkon të imponojë objektin e hetimit./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi