Ashtu si interpelanca me Kryeministrin Rama për Xibrakën edhe kërkesa e demokratëve për mocion me debat në parlament lidhur me problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri u refuzua nga mazhoranca. Pas mbledhjes që u shoqërua me debate mes palëve, socialistët e cilësuan të ezauruar më herët këtë çështje.
“Nuk ka vend për të pasur një mocion me debat të paktën sipas kërkesës që ka bërë opozita. Janë ezauruar nga gjykata”, tha Bledi Çuçi.
Por demokratët i kujtuan mazhorancës detyrimin që i lind për të zbatuar rregulloren e Kuvendit.
“Ne do t’i qëndrojmë mocionit që kemi paraqitur. E vetmja kompetencë që ka kryetarja e Kuvendit është të propozojnë një datë, por mocioni është i detyrueshëm brenda 30 ditëve nga momenti i paraqitjes”, u shpreh Gazment Bardhi.
Teksa opozita si argument të sajin thotë se ka raportet ndërkombëtare që flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës, socialistët pretendojnën të kundërtën.
“Nuk ka pasur rekorde më të mira në luftën kundër kanabisit sesa sot në Shqipëri e vlerësuar kjo nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Kjo është një çështje e qeverisjes kudo”, theksoi Çuçi.
“Mocioni jonë bazohej në të dhëna konkrete që e listojnë Shqipërinë në krye të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, po kur bëhet fjalë për drogë, qytetarëve i shkon mendja te vëllai i Kryeministrit”, deklaroi Bardhi.
Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që demokratët i drejtohen Konferencës së Kryetarëve me mocion për debat dhe një interpelancë me Kryeministrin Rama për çështjen e drogës në Xibrakë.
Tv Klan