Të paktën 800 ankesa janë paraqitur vitin e kaluar në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Sipas raportit numri më i madh i denoncimeve të adresuara dhe të trajtuara nga Inspektoriati i punës  janë për shkelje të të drejtave dhe mospërmbushje të detyrimeve të punëdhënësve kundrejt punëmarrësve, të cilat përfshijnë mospagesën për punë të kryer në ditët e festave zyrtare, ditë të pushimit javor, punë të kryer në orë shtesë, moslidhje kontrate pune.

Sektorët, punëmarrësit e të cilëve adresojnë më shumë ankesa janë Ndërmarrjet Shtetërore, Shoqëritë e Ruajtjes së Sigurisë Fizike, Arsim me 38% të ankesave, më pas janë sektori i tregtisë me 25%  ndërsa 20% të ankesave janë nga Ndërmarrje Prodhuese ku numri më i madh i përket sektorit fason.

Numrin më të madh të denoncimeve të trajtuara i përkasin Drejtorisë Rajonale Tiranë me 64 % të ankesave. Një problematikë tjetër e ngritur në raportin e Inspektoratit Shtetëror të Punës është edhe informaliteti i cili ka ardhur në rritje.

Sipas të dhënave zyrtare janë konstatuar 1,965 punëmarrës informal ose 9.2% më shumë se një vit më parë, nga të cilët për 1949 prej tyre është formalizuar marrëdhënia e punësimit brenda procesit inspektues, përmes masave ligjore të marra nga inspektorët. Informaliteti përbën 32.4% të shkeljeve totale të dispozitave ligjore të legjislacionit të punë, më pas renditet siguria dhe shëndeti në punë si dhe kushtet e punës.

Në raport përcaktohet se numri i punëmarrësve të padeklaruar për subjekt të inspektuar, për vitin 2023 rezulton 5 informal/subjekt. Pra një subjekt “fsheh” minimalisht 5 punonjës.

Sa i takon punonjësve informalë të konstatuar në sektorin privat, peshën më të madhe e zë sektori i tregtisë me 965 të punësuar, ndjekur nga ndërtimi me 489 individë, dhe vendin e tretë e mbajnë ndërmarrjet prodhuese. Në sektorët e tjera informaliteti është në nivele shumë më të ulëta.

Klan News