Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Punëtorët e Uzinës së Ferrokromit në Burrel, kanë më se një vit që nuk paguhen nga firma Darfo, e cila ka marrë këtë uzinë me koncension, për një periudhë 30 vjeçare. Kjo firmë ka premtuar fillimisht për hapjen e 190 vende pune, ku më pas ka punësuar vetëm 60 vetë. Punëtorët janë pa kontrata pune. Ata nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontrata me firmën, pasi kjo e fundit nuk u ka ofruar kushtet e përshtatshme për të punuar.

Sipas punëtorëve, firma ka pezulluar punimet në uzinë dhe makineritë që përdoreshin për përpunimin e ferrokromit, po dërgohen në Elbasan, pranë Kombinatit Metalurgjik. Për këtë veprimtari që po ushtron firma Darfo, ish-punëtorët e uzinës së ferrokromit në Burrel i kanë drejtuar edhe një letër kryeministrit për padrejtësinë që po u bëhet, madje ata kanë kërkuar edhe një takim me të.

Kjo uzinë i është dhënë firmës Darfo në Korrik të vitit 2001, e cila e ka marrë në dorëzim me 10 muaj vonesë. Sipas punëtorëve, uzina fillimisht ka qenë në gjendje pune, ku më pas nga firma është shkatërruar gjithçka./tvklan.al