Qeveria ka miratuar projektin e parkut të parë teknologjik “Durana Tech Park”.
“Synojmë ta pozicionojmë si një qendër të fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe inovativ, i cili natyrisht do të konkurrojë në rajon dhe globalisht duke sjellë përparësi strategjike dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për vendin.”
Përpara mbledhjes së qeverisë, kryeministri në një aktivitet për hapjen e një universtiteti të ri me fokus tek teknologjia foli për rëndësinë që ka ngritja e këtij parku në Durrës që do të pasohet nga një i dytë në Vlorë.
“Një nga vendimet që kemi sot është përfundimit i procesit për parkun e madh teknologjik Durana, që është një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive apo startup-eve për të zhvilluar aktivitet e tyre në territorin e atij parku. Ashtu si kundër një horizont i ri do të jetë edhe qendra tjetër e Vlora Tech Space në qendër të Vlorës ku një godinë dikur e papërdorur në mes të sheshit, por transformohet në një hapësirë që do të vihet në një masë të madhe në funksion pikërisht të teknologjisë.”
Vetëm për infrastrukturën lidhëse të parkut, kostot llogariten në 199 milion lekë që do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë, asaj të Infrastrukturës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Tv Klan