Me Vendim të Këshillit të Ministrave, javën e ardhshme një grup i posaçëm ndërministror do të fillojë punën për evidentimin e numrit real të familjeve në nevojë. Ky vendim sipas kryeministrit Berisha vjen pasi pavarësisht se buxheti social në këto vite të qeverisjes së djathtë është rritur ndjeshëm, numri i njerëzve që vuajnë urinë është më i madh se shifrat zyrtare dhe kjo për shkak të neglizhencës së autoriteteve lokale.
Sali Berisha: “Ndodh një gjë shumë e papranueshme, këto familje dënohen me mjerim, në një kohë kur ne kemi rritur, më shumë se çdo vend tjetër faturën sociale, buxhetin social nga 6 në 9% të prodhimit të brendshëm, nuk po ndalem këtu në abuzimin real që bëhet, nuk mund qeveria qendrore në asnjë rrethanë që të targetojë, që të shënjojë secilën prej këtyre familjeve, por ata nuk janë pa qeveri, janë qeveri vendore. Se dakord doli një kryetar bashkie apo një kryetar komune shpirt kazmë dhe që i thotë ja po të jap dhe këtë muaj, nuk ka nevojë të japim këtë muaj dhe atë muaj, ne ka nevojë dhe kemi të gjitha mundësitë ta mbulojmë atë për problemet më bazale të jetës vetë.”
Kryeministri Berisha ka fajësuar pushtetin lokal se shpesh abuzohet dhe përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike familje të cilat nuk janë realisht pjesë e kësaj kategorie.
Sali Berisha: “Por kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë çfarë bëjnë dhe prefekti që flenë mbi të, shto në listën e tyre ka rrezik dhe njerëz që mund të kenë të ardhura më shumë se sa ai vetë. Të qenit i papunë është një dhimbje e vërtetë, por jo të pakta rastet kam konstatuar, kanë pasur biznesin e tyre dhe druhej se janë dhe në asistencë sociale. Grupi i punës marrë të gjithë ekspertët e nevojshëm dhe ky grup duhet të dalë me propozime më konkrete me ndryshme, të gjitha ndryshmet e nevojshme të vendimeve të ligjeve ekzistuese.”
Kreu i qeverisë ka kërkuar vëmendje maksimale për shtresat në nevojë duke i ofruar atyre shërbimin shëndetësor parësor falas i dhe bursa studimi për fëmijët e këtyre familjeve. Duke folur për rëndësinë që ka vendosja e një standardi për prokurimet publike në kuadër të luftës që qeveria ka ndërmarrë kundër korrupsionit, Berisha ka theksuar edhe një herë se prokurimet publike elektronike do të jenë të vetmet që do të lejohen në të kundërt ai ka urdhëruar bllokimin fondeve për çdo ent kontraktues që nuk i përgjigjet kësaj nisme./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka
Operator: Metlin Kepi