Mungesa e tabelave ndalohet duhani në ambientet e brendshme të spitalit i ka kushtuar një gjobë prej 50 mijë lekësh drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Rikthimi i inspektimeve nga anti-duhani ka bërë që i ndëshkuari i parë të jetë pikërisht qendra më e madhe shëndetësore në vend, vendi ku paralajmërimet mbi rrezikun e duhanit duhet të jenë më shumë prezent.
Gazmend Bejtja: “Sikurse shihni këtu është një sallë pritje për pacientët, ndoshta nuk pihet duhani në këtë moment, por konstatojmë që nuk janë vënë shenjat “Ndalohet duhani”. Mungesa e një shenje paralajmëruese “Ndalohet duhani” sigurisht që parashikohet nga ligji me gjobë.”
Inspektorët kanë nisur një aksion kundër shkelësve të ligjit antiduhan, ndërsa kërkojnë bashkëpunimin e të gjithë strukturave shtetërore.
Alban Ylli: “Do të ketë një rigjallërim të inspektimeve dhe besojmë që në këtë mënyrë ne do të tërheqim pas vetes dhe strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë amendimi lidhur me ligj për ta bërë atë efikas. Shumë shpejt do të mblidhet dhe Komuniteti Kombëtar kundër duhanit, në mënyrë që përgjegjësitë të ndahen, që të ketë një koordinim më të mirë, për të krijuar një aleancë të gjerë të të gjithë strukturave shtetërore që e kanë përgjegjësi këtë çështje.”
Ligji që ndalon pirjen e duhanit në ambientet publike ka hyrë në fuqi që prej datës 1 maj të vitit 2007, por ende nuk ka gjetur zbatim, jo vetëm nga bizneset, por edhe nga vetë institucionet shtetërore./tvklan.al