Ministri i Mjedisit dhe Energjisë i Italisë Gilberto Pichetto Fratin, i cili nënshkroi në emër të qeverisë Meloni kuadrin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe Emiratet e Bashkuara shprehet se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike.
Sipas tij, ky projekt synon promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përshpejtimit të tranzicionit të energjisë së pastër, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por edhe në rajonin e Mesdheut e më gjerë.
“Dokumenti përshkruan fushat kryesore të bashkëpunimit përfshirë zbatimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe transferimin e saj nëpërmjet kabllove nënujore. Në fokus janë edhe parqet diellore fotovoltaike, ato të erës si dhe burimet hidrike. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj energjie të rinovueshme do të transmetohet në Itali. Për më tepër në kuadër të partneritetit mes nesh do të nisë puna për ndërtimin e kabllos nënujore një ndërlidhjeje ndërkufitare e transmetimit të energjisë elektrike që lidh Lecen me Vlorën”, tha Fratin.
Vendosja e kësaj ndërlidhje me kabullin nënujor me Italinë nëpër detin Adriatik do t’i shërbejë rritjes së kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike në vendin tonë, sidomos atyre bazuar në energjinë e rinovueshme si dhe zgjerimin e mundësisë për eksportin e saj.
Deri tani Shqipëria ka ndërlidhje energjetike vetëm rrugë tokësore me shtetet e rajonit, me Greqinë (455 dhe 154 kilovat), me Maqedoninë e Veriut që është në përfundim me fuqi transmetimi 400 kilovat, me Kosovën dhe me Malin e Zi si dhe disa linja të tjera që janë në nivele 110 dhe 220 kilovat.
Ky është i pari kabull nënujor që e lidh Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian, konkretisht me jugun e Italisë.
Klan News