“Nis brenda verës, nuk më shqetëson Besëlikja”
Amnistia fiskale dhe penale që kryeministri lajmëroi një ditë më parë do të nisë të funksionojë brenda verës së këtij viti. Në një intervistë për Tv Klan Edi Rama sqaron të gjitha detajes e nismës që synon formalizimin e të gjitha parave të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
“Amnistia do të bëhet menjëherë. Ne kemi punuar prej disa muajsh për këtë. Ka qenë një nga masat që ne e kemi konceptuar edhe në funksion të nevojës për të mbledhur kontribute për rindërtimin. Amnistia ka një kohë, ku i jep mundësinë të gjithëve të formalizohen, duke i garantuar njëherë e përgjithmonë se askush nuk do të kthejë kokën mbrapa për të kërkuar llogari për sa kohë ata do të formalizojnë brenda këtij afati. Pas kalimit të këtij afati, edhe këto para edhe këto asete do të trajtohen njësoj siç trajtohen sot paratë dhe asetet e krimit”, tha Rama.
Thotë se është konsultuar dhe me ekspertë ndërkombëtarë dhe është ndjekur modeli i vendeve që e kanë ndërmarrë këtë amnisti dhe ka rezultuar e suksesshme. Por është i vendosur që me apo pa mbështetjen e institucioneve të huaja, kjo nismë do të zbatohet patjetër.
“Besoj që ne do ta bëjmë këtë gjë jo vetëm si shprehje e vullnetit tonë në funksion të njerëzve, por edhe si një masë që nuk do të pengohet brutalisht nga partnerët tanë”, tha ai.
Rama sqaron dhe arsyet përse kur ishte në opozitë nuk e mbështeti një nisme të tillë të iniciuar nga qeveria Berisha.
“Së pari amnistia në atë kohë ka qenë e cunguar, nuk ka qenë e plotë dhe ne i jemi kundërvënë kësaj amnistie sepse në atë kohë nuk ishte asnjë vullnet real për të luftuar krimin me të vërtetë dhe asnjë vijë të kuqe mes të ardhurave nga krimi dhe të ardhurave nga puna”, theksoi Rama.
Intervista e plotë dhënë për Tv Klan
Tv Klan