Brenda Majit të vitit 2026 pritet të jetë gati kompleksi i godinave qeveritare në zonën e Saukut, ku do të vendosen disa agjenci që operojnë në fushën e Informacionit dhe Sigurisë Kibernetike.

Për të parë nga afër ecurinë e punimeve në kantier kishin zbritur Kryeministri Rama dhe Zv/Kryeministria Balluku.

Për shkak të aktivitetit që kanë godinat e Polit të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë kibernetike, Kryeministri vlerësoi standardin e punimeve në këtë kompleks.

“Kompaninë e kemi ‘shalqi me prove dhe kam shumë besim që do të bëhet jo vetëm punë shumë cilësore, por edhe në afat. Është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë realisht në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen”, tha kryeministri Rama.

Zv/Kryeministria shpjegoi se godinat e reja shtrihen në një sipërfaqe prej 960 metra katror.

“Parashikohet që të kemi një ndërtesë mbi tokë që do të arrijë në 4000 metra katrorë, ndërkohë që nëntoka arrin në 5800 metra katrorë ku një pjesë e zyrave do jenë në nivelin -1 për arsye sigurie, ku ndodhen serverët dhe zyrat e tjera te operimeve. Nga ana tjetër, kati -2 do të jetë parkim me mbi 115 vende parkimi”,u shpreh Balluku.

Poli i ri i Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë kibernetike do të akomodojë tre institucione, atë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, si dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare.

Tv Klan