Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë direkt, pa ndalesa me linjë ajrore në Izrael. Kryeministri Rama bëri publik lajmin duke theksuar se kjo do të ndihmojë në hapjen e mundësive për shkëmbime kulturore, turizëm dhe biznesi.
“Lidhja historike mes dy shteteve, përfshirë rolin heroik të Shqipërisë në strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një bazë e fortë për një lidhje më të qëndrueshme. Inkurajimi i izraelitëve për të zbuluar bukuritë natyrore të Shqipërisë, traditat e saj të pasura dhe ekonominë në zhvillim do të kontribuojë në forcimin e miqësive dhe partneriteteve të forta”, tha Edi Rama.
Kryeministri thekson në rrjetin social “X” se vendosja e linjave direkte të fluturimit mes Shqipërisë dhe Izraelit mund të sjellë mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet, për shumë momente të paharrueshme dhe një miqësie që po lulëzon.
Në fund kreu i qeverisë shqipatare e mbyll komentin me një falenderim të veçantë për Presidentin e Izraelit, Isak Herzog, i cili solli një grup sipërmarrësish izraelitë në Shqipëri dhe për fjalët e tij inkurajuese për komunitetin hebre të biznesit, duke i nxitur ata ta shohin Shqipërinë si një vend vëllazëror mundësish.
Klan News