Në distancë vijon përplasja e Kryeministrit me rektorin e Universitetit të Tiranës. Mynyr Koni, në një letër të hapur bënte përgjegjës dekanët për mosfunksionimin e disa hallkave në rektorat, që bëjnë të pamundur mes të tjerash dhe aksesin e studentëve në bibliotekën dixhitale. Por ndryshe mendon Kryeministri, i cili e akuzon Konin se ka keqkuptuar autonominë universitare.
Ai këmbëngul se universitetet e kanë në dorë për të bërë vetting-un e titujve akademikë, që sipas tij, ashtu si vetting-u në drejtësi do të nxjerrë jashtë sistemit universitar shumë pedagogë.
Sëbashku me Ministren e Arsimit, Kryeministri mori pjesë në prezantimin e programit të praktikave të punës së studentëve, si pjesë e paktit të universiteteve. Për 3 muaj, studentëve do t’ju krijohet mundësia për të krijuar një eksperiencë pune, jo vetëm në sektorin publik, por dhe atë privat. Përveç falenderimeve për këtë mundësi, nuk munguan nga studentët e pranishëm dhe urimet për ministren e sapomartuar, Besa Shahini.
Tv Klan