Kryeministri Edi Rama nga Saranda ka komentuar edhe njëherë debatin për detin mes Greqisë dhe Shqipërisë. I pyetur se çfarë vendimesh ka marrë qeveria për këtë çështje, Rama tha se kjo gjithçka është keqinterpretuar dhe shtoi se nëse vendi fqinj do të shtrihej deri në 12 milje do të thotë që kufiri ndarës të jetë në Memaliaj.
Më tej me ironi ai tha se tashmë do të duhet që turizmi detar të zhvillohet në Virua, pasi në Joni do të jetë i Greqisë.
“Nuk ka asgjë të tillë në vendimet që ka marrë Greqia. E them këtë se vendimet e qe Greqisë që këtu janë keqinterpretuar pasivisht, nuk kanë lidhje mes nesh dhe Greqisë. Këtu nuk janë miljet e nevojshme për t’u shtrirë 12 milje, që Greqia të shtrihet 12 milje do të thotë që të shkojë deri në Memaliaj dhe ne industrinë e detit ta zhvillojmë në Virua. As ne nuk mund të shtrihemi në 12 milje”, tha Rama.
Më tej Rama tha se 12 miljet janë një e drejtë e të gjitha vendeve, por shtoi se Greqia nuk mund të ushtrojë të drejtën e saj në kufi me Shqipërinë. Më tej sulmoi të gjitha ata që flasin për shitje deti duke thënë që janë maskarenj.
“Dhe ideja që deti mund të shitet si kos dhe shitja mund të bëhet fshehurazi është një ide komplet absurde, por keqardhja e madhe është që ka kaq shumë peshq me dy këmbë, sidomos në rrjetet sociale, që këtë absurditet e marrin për të mirëqenë. Për këtë arsye, ata të cilët kanë një përgjegjësi publike, që janë liderë partish, që janë përfaqësues partish në Shqipëri e Kosovë, dhe që flasin me publikun duke i fryrë këtij zjarri, janë maskarenj.
Nuk di asnjë fjalë tjetër, përveç fjalës maskara! Qenie të ulëta, të padenja, që nuk meritojnë asnjë respekt. Por fatkeqësisht ka një pjesë, gjysmëanalfabetësh, që i dëgjojnë dhe i japin vetes pamjen e patriotit. Dua t’iu them atyre që shqetësohen për këtë, që është absurditet. Marrëveshja e vjetër ishte problem dhe në dëm të Shqipërisë, që e bënë ata që sot flasin, që sot i fryjnë zjarrit, që iu thonë peshqve sot të hidhen përpjetë se u shit deti. Ajo marrëveshje është zhbërë“, tha kreu i qeverisë.
Po ashtu sqaroi se çështja e detit do të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare, pasi mes vendeve nuk është arritur asnjë marrëveshje./tvklan.al