Një ditë pas asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama, në një bisedë me gazetarët la të kuptohet se ai do të rikandidojë për të qëndruar në krye të partisë.

Edi Rama: “Unë nuk kam asnjë arsye që të pranoj se projekti politik nuk ka marrë votëbesimin e shqiptarëve.”

Por ky vendim i Ramës bie në kundërshtim me parimet e tij te shfaqura 4 vite më parë, menjëherë kur socialistët shënuan humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme pas 8 vitesh në pushtet, e kur Rama e shihte veten më pranë kreut të partisë.

Në një intervistë dhënë për gazetën Zëri i Popullit,  fill pas humbjes së 2005-së, dhe të ribotuar sot në shtypin e shkuar, Rama flet prerazi për largimin e kryetarit të atëhershëm të partisë, Fatos Nanos, duke argumentuar se përgjegjësia për humbjen është vetëm e tij.

Edi Rama: “Partia në demokraci është bashkim vullnetar të barabartësh mes tyre në të drejta, ku i pari është thjesht “primum interpares”, pra i pari mes të barabartëve. Kjo do të thotë se në aspektin moral e simbolik, fitorja është e të gjithëve, kurse humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili merr mbi supe përgjegjësine morale në emër të të gjithëve.”

Ky është qëndrimi i Ramës 4 vjet më parë, në presion ndaj Fatos Nanos për të dhënë dorëheqjen. Dhe për ta ilustruar atë, ai sjell si shembull në këtë intervistë kancelarin gjerman, Helmut Kol, i cili dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve.

Edi Rama: “Helmut Kol, një shembull i madh mes plot të tjerëve në rutinën e sjelljes demokratike në kësi rastesh, humbi zgjedhjet pasi realizoi bashkimin historik të dy Gjermanive. Megjithatë u largua nga kreu i partisë së tij jo kur dolën rezultatet e analizave, por atë natë që doli rezultati i votimeve.”

Bashkëpunimi me LSI -në ishte një tjetër premtim që Rama bënte në këtë intervistë para zgjedhjes së tij në krye të PS, i përsëritur edhe pas zgjedhjes.

Por ai kritikonte në atë kohë disa kolegë të tij në Partinë Socialiste që llogarisnin edhe votat e LSI-së si të tyret, në përpjekje për  të argumentuar një barazim të së djathtës dhe së majtës shqiptare.

Por pas 4 vitesh Edi Rama bie në të njëjtin gabim, teksa 6 ditë pas zgjedhjeve, tha në selinë e Partisë Socialiste se Ilir Meta kishte tradhtuar 83 mijë zemra të majta në vendimin e tij për t’u bashkuar me Berishën.

Edi Rama: “83 mijë zemra opozitare që në 28 qershor rrahën për largimin e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri, u trafikuan sot nga Ilir Meta për të mbyllur me Sali Berishën pazarin më të turpshëm të këtyre 18 vjetëve.”

Këto janë disa prej kontradiktave më të forta të historisë 4-vjeçare të Edi Ramës në Partinë Socialiste.

Mungesën e bashkëpunimit me LSI-në eksponentë të lartë në selinë rozë, ia faturojnë si dështimin kryesor të këtij 4-vjeçari, të karrierës së tij dhe të së majtës.

Ndërsa rikandidimin për të mbajtur postin, si dështim të 4-vjeçarit të ardhshëm të të gjithë partisë./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe