Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sulmoi sërish ashpër kryeministrin Berisha, lidhur me vendimet që Këshilli i Rregullim Territorit të Republikës mori në mbledhjen e tij të fundit. Në një dalje për mediat kryesocialisti komentoi dhënien e lejeve të ndërtimit.

Edi Rama: “Duhet ta dini se e gjithë Tirana, brenda vijës së saj të verdhë është rreth 3.500 hektarë, ndërkohë që dje KRRT-ja e Republikës së Shqipërisë ka dhënë në një pikë të vetme të rendit të ditës, një vendim për ndërtime në një zonë prej 2750 hektarësh.”

Me tej kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe kryebashkiak i Tiranës akuzoi numrin një të qeverisë se mban të bllokuar miratimin e planit të ri urbanistik të kryeqytetit.

Edi Rama: “Ndërkohë që prej vitesh bën sikur u qan hallin banorëve të kryeqytetit për mungesë gjelbërimi, Sali Berisha ka bllokuar miratimin e planit tonë të ri për Tiranën metropol dhe me një tjetër të rënë të lapsit në KRRT-në e djeshme të Republikës, i grabit Tiranës së nesërme dhe fëmijëve të sotëm 75 hektarë gjelbërim të parashikuara në planin e ri rregullues si mushkëria e re e kryeqytetit të Shqipërisë.”

Në deklaratën e tij nga selia rozë, Rama, theksoi se vendimet e fundit të KRTRSH-së për të ndërtuar në zonën e Vorës, Bërxullit, Prezës, aeroportit Nënë Tereza  dhe fshatit Selitë bien në kundërshtim me interesat e qytetarëve  dhe  pronës së përbashkët./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro