Një ditë përpara mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Edi Rrama, ka thirrur në një takim krerët e degëve të partisë në rrethe.
Zyrtarisht thuhet se qëllimi i takimit ka qenë një falënderim i Ramës për drejtuesit e PS-së në bazë për zgjedhjet e 28 Qershorit.
Por fakti që ai mbahet në vigjilje të asamblesë, ku Rama pritet të kërkojë mosnjohjen e zgjedhjeve, është konsideruar si një lëvizje e Ramës për të siguruar mbështetjen e krerëve të bazës në pozicionimin e tij kundër njohjes së zgjedhjeve.
Por as në këtë takim të zhvilluar me dyer të mbyllura, ai nuk ka mundur t’i bind kundërshtaret e tij të ndryshojnë kurs.
Kreu i PS-së së Lushnjës, Leonard Gogu, i cili ka kërkuar publikisht dorëheqjen e Ramës, e bojkotoi këtë mbledhje.
Ndërsa ai i Shkodrës, Edip Shiroka, deklaroi pas takimit se nuk e ndryshon qëndrimin për largimin e Ramës nga drejtimi i Partisë, pas humbjes ne zgjedhje.
Gazetarja: A i qëndroni ju në fakt deklaratës që keni bërë që kryetari duhet të zbatoj statutin?
Edip Shiroka: “Pa diskutim jo vetëm këtë kryetari, po çdo njeri”.
Gazetarja: I qëndroni deklaratës që mandati i tij tashmë ka përfunduar dhe duhet të dorëhiqet?
Edip Shiroka: “Rezultati zgjedhor, përfundimi i tij do ta tregoj këtë”.
Gazetarja: Ja bëtë në fakt ju prezent vetë kryetarit këtë qëndrimin tuaj?
Edip Shiroka: “Unë e kam bo prezent nëpërmjet mediave deklaratës time. Sot ishte thjeshtë një takim”.
Gazetarja: I qëndroni të njëjtës deklaratë?
Edip Shiroka: “Pa diskutim, për me zbatu statutin çdo herë dhe çdo kohë është detyrë e secilit”.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm dhe anëtarë të kryesisë socialiste, e mbështetës të tjerë të Ramës, si Gramoz Ruci, Fatmir Xhafa, Valentina Leskaj, Blendi Klosi apo Mimi Kodheli./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro