I pyetur nga Klan News, zyra e shtypit e Kryeministrit është përgjigjur se nëse do të ndiqte standardin e vendosur më parë, duke i shkarkuar nga detyra kryebashkiakët kur janë vënë nën akuzë, tha se Veliaj është ndryshe.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Cilado qoftë ajo“.
Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i Kryeministrit, është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë. Por nga zyra e shtypit pretendohet se ‘nuk ka një çështje konkrete korrupsioni’.
“Jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për të dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë“.
Në përgjigjen zyrtare të Kryeministrisë, paralajmërohet një epokë e re e marrëdhënieve të Kryeminsitrit Rama dhe partisë në pushtet me sistemin e drejtësisë.
“Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i Kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar“.
Nga ana tjetër kërkohet një reflektim serioz për këtë situatë, jo vetëm si garantor të Reformës në Drejtësi, por njëkohesisht edhe të kontratave me qytetarët në nivel qëndror e vendor.
Klan News