Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për terrorizmin global për vitin 2016.

Në kapitullin për Shqipërinë, DASH shkruan se vendi ynë ofroi mbështetje të rëndësishme në përpjekjet për të luftuar terrorizmin duke marrë pjesë në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS. Sipas raportit, Shqipëria ka kontribuuar duke bërë donacione në armë dhe municione.

DASH përmend gjithashtu edhe arrestimin në vendin tonë të katër personave që kishin planifikuar të kryenin një sulm terrorist në stadiumin e Shkodrës në ndeshjen Shqipëri-Izrael në nëntor 2016.

Raporti i DASH përmend edhe një fakt interesant se Drejtoria e Anti-Terrorit në policinë shqiptare, ka kontribuuar në arrestimin e disa terroristëve.

“Njësia kundër terrorizmit e Policisë së Shtetit, e zgjeruar së fundmi, ka punuar ngushtë me Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Penale të Departamentit të Drejtësisë në SHBA. Drejtoria Anti-Terror ka zhvilluar më tej programet e veta të trajnimit dhe aktualisht është duke punuar për një strukturë të re. Pavarësisht mungesës së burimeve njerëzore, Drejtoria Anti-Terror mori pjesë në disa operacione të suksesshme ku u ndaluan terroristë të njohur ose të dyshuar”,

shkruan DASH.

Në raport theksohet edhe roli e mbështetja e ofruar në pajisje dhe logjistikë nga ICITAP (bashkëpunim i SHBA-BE) dhe OPDAT e financuar nga Departamenti i Shtetit.

Por, korrupsioni në vendin tonë shfaqet edhe në raportin për terrorizmin.

“Korrupsioni i ndërthurrur me një sistem gjyqësor të dobët vazhdon të pengojë përpjekjet për zbatimin e ligjit në Shqipëri në të gjitha nivelet”

, thotë DASH. 

/tvklan.al