Rivalitet i fortë për titullin kampion në këtë sezon të La Ligës. Atletiko e Madridit është ajo që kryeson momentalisht, por vëmendjen natyrisht e fiton sfida në distancë mes Real Madrid dhe Barcelonës. Dy ekipet gjenden shumë pranë vendit të parë, duke qenë totalisht në garë për titullin kampion.

Skenar që e përforcon më shumë edhe ecuria e dy ekipeve në këtë vit kalendarik. Real Madrid mbetet lider në këtë aspekt kundrejt Barcelonës. Nga 1 Janari deri më tani, ekipi i Carlo Ancelotti ka grumbulluar 90 pikë, pesë më shumë se Barcelona, tashmë nën drejtimin e Hansi Flick.

Rezultatet zhgënjyese në tre javët e fundit kanë ndikuar jo pak te performanca e katalanasve, të cilët kanë marrë një barazim dhe dy humbje radhazi. Shumë e distancuar në këtë renditje speciale gjendet Atletico, me ekipin e Diego Simeone që ka koleksionuar vetëm 79 pikë në 39 ndeshje. Edhe mesatarja e pikëve nuk bind tifozët e Barcelonës.

Katalanasit kanë ritmin më të ulët prej dy viteve të shkuara, pasi fituan 2.17 pikë për ndeshje, ndryshe nga 2.3 në vitin 2022 dhe 2.2 në 2023. Një ecuri që premton spektakël për fazën e dytë të sezonit, për ta shndërruar “sprintin” drejt titullit kampion në Spanjë në një garë të vërtetë shpejtësie.

Klan News