“Nuk pranohen kërkesat për azil të 43 emigrantëve që mbërritën në Shqipëri. Sipas Agjensisë italiane të lajmeve Ansa, janë konsideruar si të pabazuara dhe nuk përmbushin kërkesat e duhura për të marrë statusin e azilantit”, raporton gazetari i Tv Klan Martin Marku.

Vetëm për njërin prej emigrantëve nuk është vendosur refuzimi ndërsa procedurat e shqyrtimit do të vijojnë pasi është caktuar edhe një seancë dëgjimore e veçantë. Të gjithë emigrantët janë dëgjuar mbrëmjen e së mërkurës nëpërmjet një lidhjeje online nga komisioni i azilit.

Pritet që ditën e premte gjykata e Romës të shpallë vendimin mbi vlefshërinë e qëndrimit të tyre në Shqipëri. Më pas do të vlerësohet mbi fatin e tyre, nëse do të dërgohen në Itali apo do të riatdhesohen.

Ndërkohë, 4 të miturit që u kthyen menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri janë transferuar në Potenca dhe do të merren në mbrojtjen e projektit për azil, emigracion dhe integrim,. Njëri prej tyre ka pasur nevojë edhe për kujdes mjekësor.

Ky është kontingjenti  i tretë i emigrantëve që Italia sjell në vendin tonë. Në dy rastet e para gjykatat nuk e kanë aprovuar mbajtjen në Gjadër. Qeveria italiane rinisi dërgimet pas një vendimi të gjykatës së kasacionit që sipas saj i dha të drejtë për çështjen e vendeve të sigurta. Një vendim përfundimtar do ta japë gjykata europiane e drejtësisë në fund të Shkurtit.

Tv Klan