Dhërmiu është zgjidhja e kryeministrit Edi Rama për të kaluar pushimet këtë sezon veror, nga ku ndau edhe disa shifra të hyrjeve të turistëve në aeroportin e Rinasit, ku sipas tij është vendosur një rekord i ri për hyrjet në një ditë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Madje këtë Korrik është thyer dhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Ai pati dhe një fjalë për kritikët e shifrave të turizmit.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë “u zbraz Shqipëria edhe nga shqiptarët, tani edhe nga turistët”, sepse aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit evropian për rritje relative me vitet paraardhëse. Ndërsa në vlerë absolute për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë, aeroportin e Beogradit.
Sipas Rames hyjet ne piken kufitare te Morinës rrezojnë edhe teorinë keqdashëse që shqiptarët e Kosovës kanë braktisur Shqipërinë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Shifrat e hyrjeve në Morinë që i tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës, ku mund të lexohet çdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet, ndërsa në Korrik 3 mijë më shumë se Korrikun e shkuar.
Pavarësisht të dhënave pozitive Rama tha se nga ky sezon do të nxirren edhe mësime.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Askush të mos mendojë se ne nuk po mabjmë shënime për të nxjerrë mësime, edhe nga ky sezon që është shumë i mbarë, por ka plot gjëra për të korrigjuar dhe gabime për të adresuar që në sezonin e ardhëshm të kemi edhe më shumë mbarësi, por edhe më shumë cilësi sepse maja e Shqipërisë 2030 është një objektiv strategjik se Shqipëria do të jetë kampionia e padiskutueshme e turizmit dhe jo vetëm e turizmit në këtë rajonin tonë.
Objektivi i qeverisë është që 2024 të thyej rekord duke arritur në 14 milionë turistë të huaj.
Klan News