Rikthimi i emigranteve shqiptare në vendet e punës ka sjelle serish radhe të gjata në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.

Puna me sportele te reduktuara për shkak të sezonit të pushimeve ka bërë që edhe procedurat e përpunimit të kalimtarëve të jenë më të ngadalta.

Në piken doganore te Kapshticës fluksi gjatë fundjavës ka qenë i lartë dhe për pasojë ka patur bllokime të herëpashershme.

“Më mirë mos të vijmë kur janë pushimet. Më e mira është të mos vimë. Si çfarë radhe është”.

Gazetarja: Sa keni që prisni këtu?

“2 orë”.

“Dogana e grekut nuk punon mirë, nuk punon me shpejtësi. Unë sot kam 2 orë”.

“Në Greqi po kthehemi dhe radha është shumë e madhe”.

Gazetarja: Sa keni që prisni?

“1 orë e gjysmë-2 orë. Të shikojmë sa do vete radha, akoma nuk i dihet se kur do vemi dhe sa do presim”.

Krahas numrit të kufizuar të personelit shkak është bërë edhe kontrolli i imët i mjeteve dhe dokumentacionit të emigrantëve tanë që hyjnë në Greqi.

Vetëm 12 orët e fundit janë kthyer drejt vendit fqinj mbi 3 mijë emigrantë dhe 700 mjete.

Edhe në pikën doganore të Kakavijës fluksi i rikthimit të emigrantëve drejt Greqisë ka qenë i lartë. Gjate 24 orëve të fundit kane kaluar në anën tjetër të kufirit rreth 4320 shtetas, 750 automjete dhe 30 autobusë.

Ne ditët në vijim fluksi i tyre pritet të jetë edhe më i madh për shkak të fillimit të sezonit të ri shkollor./tvklan.al