Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për rehabilitimin e bllokut të banimit tek rruga “Mine Peza”. Ky investimi sipas kryebashkiakut ishte kërkesë e banorëve të zonës dhe një premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës.
“Siç kemi premtuar, në mandatin e tretë do të fokusohemi nëpër lagje. Muajt korrik-gusht janë ideale për ndërhyrje sepse qyteti ka më pak njerëz, duke qenë se ikin me pushime, dhe ne kemi më shumë front për të hyrë me mjete të rënda. Për këtë arsye kërkoj mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve. Deri tani kemi shkuar në mbi 80 lagje, por kemi edhe një paketë të fundit, që të mos lëmë cep të Tiranës pa u prekur me infrastrukturë dhe urbanizim, që të mos ngelet qytetar dhe pronar në Tiranë që mos t’ia ndjejë vlerën e rritur të pronës falë këtyre investimeve.”
Sipas Veliajit punët e mira kundërshtohen nga ata që djegin goma, por pavarësisht kësaj puna nuk do ndalet.
“E di që të gjitha punët që bën bashkia janë punë që hanë debat, por është tjetër gjë kur bëjmë debat se si mund ta bëjmë më mirë sinjalistikën, si mund ta bëjmë më mirë asfaltin, si mund ta bëjmë më mirë ndriçimin LED, dhe është ndryshe kur bëhet debat si të hedhim molotovin, si të djegim goma. Po di të them një gjë: ata që djegin goma dhe molotovë, do të lodhen. Ata që ndërtojnë shkolla dhe bëjnë rruge, çerdhe, kopshte, mbjellin pemë, s’kanë për t’u lodhur kurrë.”
Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e banorëve të Njësisë 9 për kryerjen e punimeve dhe rikualifikimit e këtij blloku banimi i cili në përfundim do të rrisi dhe vlerën e pronës së çdo banori të kësaj lagjeje.
Klan News