SPAK i ka çuar fletëthirrje kreut të grupit të PD Gazment Bardhi. Ky i fundit ka publikuar pasditen e sotme dokumentin thekson se do të paraqitet në SPAK të Mërkurën në orën 10:00, në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e “Xibrakës”.
Kujtojmë se më 25 Prill ishte kryeministri Edi Rama ai i cili tha se nuk ka asnjë kallëzim të depozituar në SPAK nga ana e Gazment Bardhit për vëllain e tij. Kjo ishte dhe arsyeja pse Prokuroria e Posaçme nuk pranoi kallëzimin për shpifje të Olsi Ramës.
“Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallëzimit të pakallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë”, tha Rama në reagimin e tij.
Megjithatë demokrati nuk hoqi dorë nga akuzat e tij publike ndaj vëllait të kreut të qeverisë si person të përfshirë te çështja e laboratorit të drogës në Xibrakë.
“Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston. Njësoj dhe për Olsin e çunave të Xibrakës. Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste“, ishte kundërpërgjigjia e Bardhit.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
E kam dorëzuar apo nuk e kam dorëzuar kallëzimin në SPAK kundër Ols Ramës? Këtë lojë u përpoq të bënte Edi Rama dhe veglat e tij politike dhe mediatike për të sfumuar thelbin e çështjes: se vëllai i kryeministrit kishte përdorur disa herë të njëjtën makinë me kartelin e drogës së Xibrakës, gjatë kohës së ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Sigurisht, që Edi Rama gënjeu, kur luajti lojën e mohimit të së vërtetës sime, se kallëzimi ishte dorëzuar në SPAK. Kur debatuam për këtë çështje i premtova Edi Ramës se do ta kuptonte shumë shpejt, nëse e kisha bërë apo jo kallëzimin. Në politikë jam futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes. Nuk e kam shkelur këtë parim as në rastin e Olsi Ramës, dosja e të cilit, deri dje, rrinte e fshehur, në sirtarët e prokurorisë. Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia.
Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar.
SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK. Asnjë propagandë e Edi Ramës, veglave të tij apo mediave në shërbimin e tij nuk e fshehin dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama!
/tvklan.al