Pas një vere të ngarkuar me koncerte e angazhime, Maya nuk njeh të ndalur. Pak ditë më parë, më 22 tetor ajo ka publikuar këngën e saj më të re, “Rrajca në festë”. Motivet muzikore, siç shpjegon këngëtarja në programin “Rudina” në Tv Klan janë marrë nga vallja e Rrajcës. Paksa e habitshme sepse dihet që Maya është nga Vlora dhe i këndon Shqipërisë së Mesme, por duket se ia ka dalë të rrëmbejë zemrat e dëgjuesve.
Maya: Vallja e Rrajcës është një valle shumë e njohur dhe shumë e dashur për mua. Në të gjitha performancat që kemi live, vallja e Rrajcës luhet, është nuk e di sesa vjeçare, mos të jap informacion të gabuar por shumë e vjetër dhe kisha shumë kohë që doja që këtë valle ta sillja në formën e një kënge, por s’e kisha gjetur kohën për shkak të të gjitha obligimeve si të gjithë njerëzit. Erdhi momenti, në të vërtetë e kam mabruar si audio që para verës dhe e performova në të gjitha festat familjare, dasma e ditëlindje dhe në të gjitha koncertet e mia qoftë ato private, qoftë koncertet e Maratonës etj dhe është pritur e u bë një hit ndërkohë pa ardhur ende videoklipi. Në të vërtetë, e kisha të gjithë mundësinë për të marrë pjesëza nga këto dasma të shumta, koncerte të shumta dhe të bëja një klip e ta nxirrja para verës sepse e trajtova si një dasmë në tekst, por nuk u mjaftova,thashë jo, do t’i përkushtoj një klip shumë të mirë, sado edhe që të shkojë, nuk ka rëndësi.
Rrajca, është një fshat në lartësitë e Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë. Kënga e Maya-s duket se do të jetë edhe një promovim shumë i mirë për zonën pasi deri më tani ka grumbulluar mbi 1 milion klikime./tvklan.al