Kjo shtrese e degraduar eterniti përben një vatër kancerogjene për shkak të fibrave të amiantit që lëshon në ajër.

Do të mjaftonte qoftë një fije e vetme amianti, e pakapshme për syrin e njeriut, e futur në organizëm nëpërmjet ajrit për të mataruar tumor gjatë 15 viteve në vijim.

Romeo Hanxhari, specialist mjedisi thotë se me një rrezik të tillë përballemi çdo ditë pasi në të gjithë vendin gjenden tonelata eternite të përdorura kryesisht në ambientet e ish parqeve industriale.

Romeo Hanxhari: “Amianti konsiderohet tani nga gjithë bota shkencore si materiali më kancerogjen i përdorur ndonjëherë në botën e punës. Trajta më e përdorur në Shqipëri është ajo e eternitit, një material i cili ka në përbërje të tij 30-40% amiant dhe pjesën tjetër çimento të veçantë e cila e lidh dhe në kushtet kur eterniti degradohet nga kushtet atmosferike atëherë fijet e amiantit nuk ka çfarë më i mban të bashkuara dhe çlirohen në atmosferë. Sasia që është përdorur në Shqipëri shkon me qindra ton.”

Këta banorë të kryeqytetit me siguri nuk e dinë rrezikun që u kanoset çdo ditë në ajrin që përdorin si pasojë e shpërbërjes së eterniteve të kësaj godine.

Sikur të mos mjaftonte kjo, shtresa kancerogjene e eternitit është bërë strehë për linjat e autobusëve ndërqytetëse.

Romeo Hanxhari: “Këtu jemi në rastin e një mbulese eterniti të degraduar, me rrezikshmëri të lartë të lëshimit ët fijeve të amiantit dhe kjo zonë ose kjo ndërtesë e vjetër që duhet trajtuar me kushte të veçanta është dedikuar për stacion autobusi. Ne apriori mund ta themi me siguri të plotë që kemi të bëjmë me një sit të rrezikshëm. Praktikisht çdo njeri jo vetëm pasagjerët, po edhe ne që jemi këtu dhe ata që kalojnë rastësisht rrugës mund të bëhen viktimë e thithjes me anë të frymëmarrjes të fijeve të amiantit që lëshon eterniti pasi degradohet.”

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës materialet me përbërje amianti janë ndaluar prej mese çerek shekulli, ndërsa Bashkimi Evropian i ka thënë jo përdorimit prej mese 5 vjetësh, thotë Haxhari, duke shtuar se në vendin tonë mungon një legjislacion i  tillë që do t’u vinte fre dhe do të eliminonte këto materiale kancerogjene./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro