Tuneli i Murrizit nuk ishte segmenti i vetëm i “Rrugës së Arbrit” ku pati vonesa dhe tejkaloi afatin fillestar të përfundimit. Zv/kryeministrja Belinda Balluku pranon se dhe në segmenti Maqellarë-Peshkopi u përballën me probleme gjatë punimeve. Gjithsesi, Balluku siguron se pranverën e ardhshme, “Rruga e Arbrit” do të jetë e përfunduar në të gjithë gjatësinë e saj.
“Në lotin Maqellarë-Peshkopi, që është një nga problemet më të mëdha që kemi pasur për të zgjidhur, por që tashmë i kemi dhënë zgjidhje dhe unë shpresoj që para pranverës të vitit 2025, domethënë diku nga marsi, ne do të jemi në gjendje që ta dorëzojmë përfundimisht edhe pjesën e fundit të Rrugës së Arbrit. Së bashku me tunelin përfundojmë një nga veprat më komplekse infrastrukturore që kemi pasur”.
Balluku, që deri javën e shkuar ishte drejtuese politike e socialistëve në Dibër, duket se nuk shkëputet lehtë nga ky qark. Në krah të pasuesit të saj, ministrit Blendi Gonxhe, inspektoi dhe punimet në bulevardin e Peshkopisë, që po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, punime që po ashtu do të përfundojnë, sipas drejtorit Dritan Agolli, në pranverë.
Bulevardi i Peshkopisë ka një gjatësi prej afro 700 metrash dhe rikostruktimi i tij i fundit u bë në 2016-n, 8 vite më parë.
Tv Klan